Analizë: Përkthimi i dëshmitarëve anonimë

Dëshmitë kryesore me të cilat të pandehurit shpallen fajtorë ose të pafajshëm, në gjykimet për krimet e luftës që zhvillohen në gjykatat e Kosovës, janë deklarimet e dëshmitarëve.

Prokuroria Speciale e Kosovës aktakuzat i mbështet pikërisht në deklarimet e dëshmitarëve të bëra gjatë fazës së hetimeve, qofshin okularë ose rrethanorë.

Por shpesh deklarimet e dhëna gjatë hetimeve, po ndryshojnë në seanca kryesore.

Aktualisht në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë duke u mbajtur dy gjykime shumë të rëndësishme për krimet e luftës. Që të dyja janë rigjykime, pasi që Gjykata Supreme kishte prishur vendimet e ish-Gjykatës së Qarkut.

Rasti i parë është Kleçka ku akuzohen deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish komandanti i UÇK-së, Fatmir Limaj, si dhe nëntë bashkëluftëtarë të tij.

Rasti i dyti është Grupi i Llapit, ku akuzohen deputeti tjetër i PDK-së, Latif Gashi, i cili në kohën e luftës mbante pozitën e shefit të inteligjencës në zonën e Llapit si dhe Rrustem Mustafa, i njohur si Remi, ish-deputet i PDK-së dhe ish komandat i Zonës së Llapit. Së bashku me ta akuzohet edhe Nazif Mehmeti po ashtu ish anëtar i UÇK-së.

Prokurorët specialë në të dyja rastet, aktakuzat e tyre i kanë mbështetur në deklarime të dëshmitarëve të mbrojtur dhe anonimë, por këta të fundit po dalin publikisht për të dëshmuar përkundër marrjes së masave mbrojtëse nga prokuroria.

Rushid Ballofci, dikur i njohur si dëshmitari anonim 7 në rastin e Grupit të Llapit, më 4 prill të këtij viti kur doli para trupit gjykues zbuloi identitetin e tij dhe mohoi të gjitha deklarimet e bëra në fazën e hetimeve.

Ballofci dëshminë e tij të parë e kishte dhënë me 20 gusht të 2002-ës përpara policisë së UNMIK-ut.

Ai trupit gjykues në seancë i tha: “Deklaratës në polici i qëndroj prapa, por përkthyesja ishte serbe. Unë qëndroj prapa të gjitha deklaratave, por nuk e di çfarë është shkruar”.

Dëshmitari Ballofci në deklaratën e 20 gushtit 2002 kishte thënë: “Në intervistën e dytë në Llapashticë (qendër ndalimi e UÇK-së), LatifGashi më ka pyetur dhe Nazif Mehmeti më ka rrahur”.

E në seancën e 4 prillit dëshmitari e mohoi këtë duke e fajësuar përkthyesen: “Unë kam thënë se kushtet nuk kanë qenë të mira”.

Ai në polici kishte thënë se kishte parë rrahje çdo ditë në Llapashticë, ndërsa në seancë tha: “Nuk kam parë rrahje e as që kam dëgjuar”.

Pastaj, Ballofci në deklaratën e dhënë para gjykatësit hetues kishte thënë: “Nazif Mehmeti më ka rrahur. Më ka rrahur me shkop druri për një orë. Pas një pushimi prej 30 minutash, prapë më ka rrahur me shkop druri dhe shkop elektrik”.

Pasi që kjo iu lexua dëshmitarit, ai e mohoi deklaratën duke thënë: “Kjo nuk është e vërtetë se me më pas rreh ky (v.j. Nazif Mehmeti), mu kon edhe kulshedër pa marrë hak nuk e kisha lonë”.

Ballofci, në të gjitha pyetjet që iu drejtuan nga prokurori e trupi gjykues, u ballafaqua me atë që  kishte thënë në polici e para gjykatësit hetues. Dëshmitari deklarimet para policisë dhe gjykatësit hetues i kishte kundërshtuar edhe gjatë gjykimit të parë në vitin 2003 për Grupin e Llapit.

Dëshmitari tregoi se atij nga UNMIK-u i ishte ofruar shkuarja jashtë vendit, në këmbim të deklarimit kundër të pandehurve. Por ai tha se këtë nuk e kishte pranuar, duke mohuar se i ishin ofruar para.

Rushid Ballofci ishte arrestuar në nëntorin e 1998-së nga UÇK-ja në fshatin Barilevë për t’u dërguar më pas me një thes në kokë deri në fshatin Llapashticë, ku kishte qëndruar i ndaluar deri më 31 dhjetor 1998. Dëshmitari ishte amnistuar më vonë.