Dyshime mbi grupin e Drenicës

Misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit po heton për krime lufte shtatë ish-komandantë e ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykatësi i EULEX-it më 25 maj ka caktuar arrest shtëpiak për kryetarin e komunës së Skënderajt Sami Lushtakun, ambasadorin e Kosovës në Shqipëri Sylejman Selimin që të dy ish-komandantë të lartë në UÇK, si dhe pesë bashkëluftëtarë të tyre.

Gazeta Jeta në Kosovë sjell detaje për pikat për të cilat hetohen të dyshuarit, në mesin e të cilëve janë dhe ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës Sylejman Selimi dhe kryetari i Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku.

Të dyshuarit e tjerë, ish-pjesëtarë të “Grupit Drenica” janë Sahit Jashari, Avni Zabeli, Hysni Thaçi, Jahir Demaku dhe Zeqir Demaku.

Dyshimet për krime lufte që rëndojnë mbi Selimin, dikur komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK i njohur me nofkën e luftës “Sulltani”, janë të radhitura në shtatë pika.