Fatmir Limaj propozon Hashim Thaçin për dëshmitar

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, ish-shefi i Zyrës Ndërkombëtare Civile (ICO) Peter Faith, ish-shefja e Prokurorisë Speciale të EULEX-it Isabell Arnal dhe ish-kryeprokurori i EULEX-it Johannes vanVreeswijk, janë katër dëshmitarët e propozuar nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj, për të dëshmuar në rastin e njohur si “rasti i korrupsionit”.

Propozimi i Limajt është bërë më 18 maj gjatë seancës gjyqësore [seancë dëgjimore] në rastin e njohur gjyqësor ku Fatmir Limaj dhe gjashtë të pandehur të tjerë akuzohen për 13 vepra penale që kanë të bëjnë kryesisht me korrupsion dhe shpërdorim të detyrës zyrtare.

Lidhur me propozimin për dëshmitarë, gjykata do të përcaktohet pasi fillimisht të vendosë nëse do të vazhdohet me gjykimin e rastit, ose nëse aktakuza do të hidhet poshtë.

Nëse Thaçi aprovohet si dëshmitar, në bazë të procedurës penale, ai është i detyruar të dëshmojë para gjykatës.

Në këtë seancë palët mbrojtëse dhe të pandehurit për më shumë se tetë orë kanë paraqitur kundërshtimet e tyre për hedhjen poshtë të aktakuzës.

Limaj, gjatë paraqitjes së tij i është referuar çështjes së transkriptit të mesazheve telefonike, provë kjo e cila është kundërshtuar nga mbrojtja e Limajt qysh në kohën sa po zhvilloheshin hetimet.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Johannes Pickert, Fatmir Limaj kishte shkëmbyer mesazhe dhe ishte takuar me Mehmet Shkodrën, pronar i kompanisë “Intereuropa” që garonte në tender dhe pohonte se tenderi i ishte premtuar.

Aktakuza po ashtu e bën ish-ministrin përgjegjës për takime personale me operatorë ekonomikë derisa tenderët ishin në vazhdim dhe për marrje ryshfeti.

“Shefi” Limaj, sipas aktakuzës, udhëhoqi një grup kriminal që duke e përdorur me qëllim fragjilitetin e administratës dhe limbon e paspavarësisë, veproi që të merrte përfitime personale, duke mbushur xhepat me “shuma të konsiderueshme ryshfetesh”.

Avokati Karim Khan, që në këtë rast mbron Limajn, ka ofruar për gjykatën versionin e tij për çështjen e sms-ve.

Khan tha se personi i parë i cili kishte pranuar këto sms është Hashim Thaçi, i cili kishte shkuar të njëjtën ditë në zyrën e Fatmir Limajt për ta pyetur rreth përmbajtjes së sms-ve.

“Limaj nuk është fshehur askund kur është pyetur për sms nga Thaçi, por menjëherë ka thirrur Endrit Shalën për ta sqaruar këtë”, tha Khan.

Avokati mbrojtës shtoi se “ato janë dorëzuar në mënyrë anonime, nga burime anonime dhe nuk ka asnjë lloj prove për vërtetësinë e tyre”.

Në këtë rast, sipas aktakuzës së ndryshuar me numër PPS 425/09 më 5 dhjetor 2012, Fatmir Limaj, dy vëllezërit e tij Demir dhe Florim Limaj, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi, Florim Zuka dhe Gani Zuka akuzohen për trembëdhjetë vepra penale që kanë të bëjnë kryesisht me korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Rasti ka të bëjë me periudhën kohore gjersa Fatmir Limaj shërbente si ministër i Infrastrukturës dhe Telekomunikacionit.

Grupi prej shtatë të pandehurve akuzohet për krim të organizuar, përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës, lidhje të kontratave të dëmshme, shpërdorim të detyrës zyrtare, marrje e ryshfetit, dhënie e ryshfetit, keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi, pastrim i parave, pengim i të provuarit, asgjësim apo fshehje e materialit arkivor, mbajtje në pronësi dhe posedim të paautorizuar të armëve dhe mosdeklarim të parave të pranuara gjatë fushatës.

Kundërshtimet e tyre i kanë paraqitur edhe të pandehurit e tjerë.

“Nuk ka asnjë provë ose dëshmi kundër Endrit Shalës”, është shprehur avokati i tij mbrojtës Arianit Koci.

Sipas Kocit, “doktor Shala është prind i devotoshëm dhe mjek i mirë dhe fati i tij varet sot”.

Avokati mbrojtës deklaroi se sms-të nuk gjenden në arkivin e postës dhe se rrjedhimisht ato nuk kanë ekzistuar asnjëherë.

Kundërshtimet janë paraqitur edhe nga avokatët mbrojtës të Demir dhe Florim Limajt, Nexhat Krasniqit, Florim Zukës dhe Gani Zukës.

Seanca dëgjimore, e dyta më radhë, qëkur ka filluar gjykimi i deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës Fatmir Limajt dhe të tjerëve, për rastin e njohur si “rasti i korrupsionit”, është mbajtur në Kinemanë ABC1 të premten që nga mëngjesi deri rreth orës 18:00.

Fillimisht gjykatësja caktoi 15 minuta kohë për secilin mbrojtës që të paraqisnin kundërshimet e tyre.

Një gjë e tillë u kundërshtua nga Khan, Limaj dhe të tjerët, nën arsyetimit se duhej të trajtoheshin si palë të barabarta.

“Prokurori ka pasur kohë dy ditë për të paraqitur aktakuzën. Mos na kufizoni kohën, por na trajtoni si palë të barabarta”, tha Fatmir Limaj.

Kinemaja e cila është marrë me qira nga misionin i EULEX-it në mungesë të sallave të gjykimit mblodhi rreth 150 persona, përfshirë këtu palët në proces dhe publikun.

Seancat gjyqësore në rastin Limaj dhe të tjerët janë ndër seancat që tërheqin më së shumti publik.