Vendim gjyqësor për “kufizim të mediave”

Vërejtja e gjykatëses është bërë më 18 maj gjatë seancës gjyqësore [seancë dëgjimore] në rastin e njohur gjyqësor, ku Fatmir Limaj dhe gjashtë të pandehur të tjerë akuzohen për 13 vepra penale, që kanë të bëjnë kryesisht me korrupsion dhe shpërdorim të detyrës zyrtare.

“Lidhur me xhirimin e seancave unë kam marrë një vendim dhe pres që ky vendim të respektohet, tha Adamska Gallant” në fillim të seancës gjyqësore.

Vendimi, i publikuar në faqen zyrtare të EULEX-it, parasheh xhirimin e seancave gjyqësore vetëm gjatë dhjetë minutave të para të seancës.

Përmes këtij vendimi, i cili përmban gabime gjuhësore dhe nuk është i përkthyer mirë nga gjuha angleze, gjykatësja e EULEX-it ka përcaktuar edhe mënyrën e xhirimit të seancave gjyqësore.

Sipas vendimit, mediat lejohen të bëjnë “vetëm prezantim të përgjithshëm të sallës gjyqësore”, por u ndalohet “prezantimi i drejtpërdrejtë i gjykatëses, të pandehurve dhe avokatëve”.

Vendimi për kufizimin e mediave është kundërshtuar nga Fatmir Limaj dhe avokati i tij mbrojtës Karim Khan.

Të dy kanë kërkuar nga gjykatësja që të lejohet xhirimi i plotë i seancës gjyqësore, ashtu siç ishte lejuar gjatë seancës së parë dëgjimore, kur prokurori i rastit Johannes Pickert kishte lexuar aktakuzën.

“Katër vjet nuk kam pasur mundësinë që për të gjitha ato shpifje dhe linçime që janë bërë kundër meje dhe familjes sime të flas para mediave”, ka thënë Limaj.

“Katër vjet jam torturuar, ndaj dua të flas”.

Ndërkohë, për të njëjtën çështje avokati Khan kërkoi nga gjykatësja Anna Adamska Gallant që mediat të lejohen të xhirojnë, nëse dëshirojnë.

“Ky nuk është rast që ka dëshmitarë të mbrojtur dhe është në interes të lartë të publikut”, tha Khan.

Lidhur me xhirimin e seancave gjyqësore është deklaruar edhe prokurori Pickert, i cili nuk e ka kundërshtuar xhirimin dhe transmetimin e plotë të seancës gjyqësore.

Në pjesën e parë të seancës gjykatësja tha se qëndron prapa vendimit për të mos lejuar xhirimin e seancave dhe se palët mund të ushtronin ankesë kundër këtij vendimi në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Pas pushimit të drekës Adamska Gallant tha se ka “rikonsideruar” vendimin dhe se ka vendosur të lejojë xhirimin e seancës nga mediat.