Dëshmitarët në rastin Kleçka prapë i ndryshojnë dëshmitë

Fatmir Limaj gjatë majit u paraqit edhe për një rast tjetër në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Në rastin Kleçka, ku ai dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij po akuzohen se kanë kryer krime të luftës kundër popullatës civile dhe të burgosurve të luftës.

Në pesë seancat e mbajtura kanë dëshmuar dëshmitarët e mbrojtur Y, M, B dhe I. Dëshmitarët u ballafaquan me deklarimet e tyre të dhëna gjatë hetimeve, të cilat ndryshonin nga ato që po thuheshin në seancë.

Në sallën e zbrazur nga publiku për dy ditë me radhë ka dëshmuar dëshmitari i mbrojtur Y, i cili ka kundërshtuar çdo deklaratë të dhënë në prokurori, tregon mbrojtësi i Fatmir Limajt, avokati Tomë Gashi.

Mirëpo edhe dëshmitari i mbrojtur M kundërshtoi deklarimin e dhënë para prokurorit special Maurizio Salustro, duke thënë se ka gabuar kur e ka nënshkruar deklarimin e tij.

Arsyeja e nënshkrimit të deklaratave dhënë më parë zyrtarëve të misionit europian, sipas dëshmitarit ishte fakti se kishte qenë i frikësuar dhe nën presionin e hetuesve të EULEX-it.

“I kam kuptuar disa pjesë të deklaratave, por po qe se ju do të ishit në pozitën time dhe nën presionin e njëjtë, edhe ju do t’i kishit nënshkruar ato. Unë isha i frikësuar dhe familja ime ishte e frikësuar gjithashtu”, tha dëshmitari M.

Dëshmitari i mbrojtur M, kishte pohuar se ka qëndruar në burgun e Kleçkës për 3 ose 4 orë, por pa mundur të kujtohet për detajet të tjera.

Gjatë dëshmisë ai hodhi poshtë deklaratën se është rrahur ose keqtrajtuar duke shtuar se nuk di për të burgosurit tjerë.

Në deklaratat e mëparshme M-ja kishte deklaruar se është goditur nga dikush dhe se bashkëfshatarët e tij i kanë rrahur në burg, mirëpo që ai nuk i kishte parë.

Sipas dëshmisë së mëhershme kur i kishin sjellë në katin e parë të shtëpisë-burgut të Kleçkës, i kishte parë shenjat e goditjes dhe të rrahjes së tre bashkëfshatarëve të tij.

Por kësaj radhe ai tha se “as nuk kam pa të rrahun as të skuqur. Nuk kam qenë mjek me i analizu”.

Njëjtë si dëshmitarët e mëparshëm edhe dëshmitari B dha një dëshmi tjetër, krahasuar më atë të dhënë në hetuesi në vitin 2010.

B-ja tregoi për arrestimin e tij dhe dërgimin në shtabin e Kleçkës.
Ai tha: “Më kanë dërguar te një person që kam menduar se është Nexhmi Krasniqi, mirëpo më vonë kam kuptuar se ky nuk ishte Nexhmi Krasniqi”.

Prokuroria ballafaqoi dëshmitarin me deklaratën e tij të dhënë në hetuesi, ku kishte deklaruar se personi që e kishte pritur atë në Kleçkë, kishte qenë Nexhmi Krasniqi.

Dëshmitari pranoi se kishte deklaruar ashtu në dëshminë e tij të parë, mirëpo ishte gabuar.

B-ja shtoi se gjatë kohës sa ka qenë në malet e Berishës, kishte dëgjuar nga popullata që shef i policisë ushtarake në atë pjesë kishte qenë Nexhmi Krasniqi dhe kjo i kishte krijuar përshtypjen se Nexhmiu ishte personi që e kishte pritur në burgun e Kleçkës atë.

Dëshmitari tregoi se pasi kishte dhënë deklaratat në hetuesi në vitin 2010, kishte kuptuar se nuk ishte i njëjti. Për personin që kishte menduar se ishte Nexhmiu, dëshmitari deklaroi se nuk e kishte parë asnjëherë më dhe e përshkruante atë si të gjatë rreth 1.90 metra, me flokë të bardha dhe të shkurtra, të dobët dhe me uniformë të zezë.

Agim Zogaj (tash i ndjerë, dhe i njohur në këtë proces si dëshmitari X), i kishte sjellë vendimin në letër nga gjykatësi ushtarak Sokol Dobruna, pasi që ky e kishte marrë në pyetje, më anë të të cilit vendim, dëshmitari B dënohej me 30 ditë burgim.

Dëshmitari deklaroi se pas tre javësh ishte liruar nga burgu, ku kishte kushte të mira, ushqehej mirë, si ushtarët dhe nuk ishte rrahur apo maltretuar.

“Agim Zogaj ka ardhur me ka marrë dhe më ka dërguar të Petrit Ujmiri (Sokol Dobruna), i cili më ka thënë se jam i lirë dhe mund të shkoj”, deklaroi dëshmitari B.

Në fund të muajit gjykata kishte paraparë të dëgjonte dëshmitarin e mbrojtur I – i cili zbuloi identitetin e tij.

Urim Krasniqi, ka refuzuar të dëshmojë me faktin se ka qenë i shantazhuar dhe në presion nga prokurori Salustro.

Gjatë seancës, dëshmitari akuzoi prokurorin dhe EULEX-in për presionin dhe frikën që EULEX i kishte shkaktuar gjatë marrjes së dëshmisë në vitin 2010. Kjo shkaktoi ndërprerjen e seancës dhe dënimin e dëshmitarit në shumën prej 100 eurosh.

Dëshmitari, i cili qante në sallë, kategorikisht refuzonte të përgjigjej. “I kam thënë njëqind herë se këtij nuk i përgjigjem. Nuk kam tjetër çka shtoj e as mungoj” deklaroi dëshmitari.

Krasniqi shtoi se “Ky din veç shantazh, tjetër send nuk din”.

Prokurori reagoi duke paralajmëruar dëshmitarin se përveç dëshmisë së rreme si vepër penale, ekziston edhe vepra penale për akuzat e rrejshme.

Urim Krasniqi vazhdoi rrëfimin e tij për shantazhet dhe presionin e prokurorit Salustro.

Sipas dëshmitarit prokurori kishte detyruar atë të pranonte atë që thoshte prokurori. “Ky i ka marrë policinë e vet dhe më ka çu në një mal dhe më ka thënë se duhesh me pranu të gjitha që kam thënë unë”.

Dëshmitari vazhdoi “Më ka ardhë prapë të shpia, më ka thënë duhesh më ardhë.. ky përsëri nuk është ndalë kurrë”. “Gjendja ime është shumë e vështirë, ka qenë atëherë dhe është tani” shtoi dëshmitari.

Në rastin “Kleçka”, Arben Krasniqi, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi, Behlul Limaj, Fatmir Limaj, Refki Mazreku, Naser Shala, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj, akuzohen për krime të luftës kundër popullatës civile dhe robërve të luftës.

Limaj ishte liruar fillimisht nga akuzat në maj të vitit të kaluar, por prokuroria ishte ankuar ndaj aktgjykimit dhe rasti është kthyer në rigjykim.