Kryetari Muja dëgjon dhe jep fjalën përfundimtare

Ashtu siç ishte paraparë në seancën e fundit të mbajtur në janar, në Gjykatën Themelore në Prizren prokurorja e rastit kundër Kryetarit Ramadan Muja dhe bashkëpunëtorëve të tij përfundoi me fjalën përfundimtare në këtë rast.

Ramadan Muja, Kadri Ukimeri (drejtor i Gjeodezisë) e Minir Krasniqi (drejtor i Administratës) akuzohen për shpërdorim detyre dhe të autorizimeve.

Bashkë me ta, ngarkohen për të njëjtat akuza edhe Sadik Paçarizi, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Abdullah Tejeci e Avni Ademaj, që në periudha të ndryshme drejtuan drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër.

Aktakuza ndër tjera thotë se për krijimin e dobive pasurore të të tjerëve, këta gjashtë zyrtarë prizrenas kanë bërë keqpërdorime të pronave të paluajtshme në periudhën katërvjeçare 2008-2012.

Natasha Vicary, prokurore e Prokurorisë Speciale të Kosovës, i tha gjykatës se të pandehurit në këtë çështje duhet të gjenden fajtor për veprat që akuzohen.

Në anën tjetër mbrojtja e të pandehurve përkundër shumë seancave që patën në dispozicion nuk patën mundësi të përfundojnë me fjalët e tyre përfundimtare, për çka shpallja e gjykimit u desh të shtyhet për muajin mars.

Avokati i të pandehurit Muja në një fjalim të gjatë i tha gjykatës e i mbrojturi i tij është i pafajshëm dhe këtë sipas tij e ka thënë edhe populli kur e ka votuar për mandatin e tretë.

Edhe mbrojtësit e të pandehurve të tjerë kërkuan pafajësinë e të mbrojturve të tyre.

Kryetari Muja, në fjalën e tij përmbyllëse, tha se qëndron tërësisht pranë fjalëve të mbrojtësit të tij. Ai para trupit gjykues tha se nuk ndihet fajtor për asnjërën pikë të aktakuzës.

“Unë e ndiej veten plotësisht të pafajshëm, nuk kam bërë vepër penale, çdo vendim që e kam marrë, e kam marrë në të mirë të qytetarëve të Prizrenit”, u shpreh Muja para trupit gjykues.

Ai,  kërkoi nga trupi gjykues që të shpenzojë pakëz kohë për ta vizituar vendin e quajtur “Boka- boka”.

“Ai vend, ka qenë vend i zhapinave dhe ngordhësirave, tani është bërë vend i qytetëruar”, tha Muja.

Kryetari i Prizrenit, përmendi se në atë zonë, nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, do të ndërtohet edhe një fushë e futbollit që do të shfrytëzohet për gara ndërkombëtare.

Edhe të pandehurit e tjerë e kërkuan lirimin nga gjykata duke deklaruar pafajësinë.

Në aktakuzën e prokurorisë po ashtu thuhet: “Në periudhën kohore nga 15 dhjetor 2010 deri më 14 prill 2011, Ramadan Muja dhe Sadik Paçarizi, drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm, kanë tejkaluar kufijtë e autorizimeve të tyre kur i dhanë tokën publike fabrikës së çokollatës ‘Kamila’. Me vendim të Mujës fabrikës i është ndarë toka prej 20 mijë metra katrorë, në vlerë prej 40 mijë euro në formën e shfrytëzimit pa pagesë, pa i ndjekur procedurat përkatëse ligjore”.

Gjykata pritet të vendos në seancën e 14 marsit lidhur me lëndën kundër këtyre të pandehure.