Së shpejti në gjykatë MTPT 2

EULEX-i gjatë shkurtit ngriti aktakuzën e dytë kundër Fatmir Limajt që e pandeh atë për përfshirje në korrupsion. Sipas Gjykatës Themelore në Prishtinë të akuzuar në rastin MTPT 2, përveç Fatmir Limajt janë edhe Shpëtim Talaku, Nexhat Krasniqi zyrtar i prokurimit në MTPT, Ali Aliu dhe Beqir Deda.

Limaj dhe tjerët akuzohen për vepra të ndryshme penale përfshirë -krim të organizuar, përvetësim, lidhje të kontratave të dëmshme, keqpërdorim të detyrës zyrtare ose të autoritetit, marrje e mitës dhe vepra të tjera të lidhura me korrupsionin.

“Prokurori pretendon se buxheti i Ministrisë së Transportit është dëmtuar për së paku 890.000 euro”, thuhet në njoftimin e EULEX-it. Bazuar në këtë njoftim veprat penale janë kryer gjatë vitit 2008.

Limaj rëndohet edhe me një aktakuzë tjetër të ngritur në nëntor të vitit 2012.

Në korrik të vitit 2013 gjyqi kishte konfirmuar pjesërisht aktakuzën dhe kishte konkluduar se ekzistojnë prova të mjaftueshme për dyshim të mirëbazuar se të pandehurit Fatmir Limaj, ish Ministër i MTPT-së, Nexhat Krasniqi, shef i Prokurimit në MTPT, dhe Endrit Shala, ish-shefi i Kabinetit dhe këshilltar Politik i Fatmir Limajt, formuan një grup të organizuar kriminal i cili kreu veprat e rënda penale të shpërdorimit të pozitës ose autoritetit zyrtar dhe marrjes së ryshfeteve.