Dënohet për Krime Lufte ish rezervisti serb

Më 12 shkurt Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar Ivan Radivojeviqin me 8 vjet burgim për krime të luftës kundër popullatës civile.

Radivojeviq dyshohej se ka maltretuar së paku 40 shqiptarë në stacionin e autobusëve të Fushë-Kosovës. Disa nga të keqtrajtuarit, sipas aktakuzës, më vonë u gjetën në varreza masive.

Më 26 mars të vitit 1999, një grup paramilitarësh serbë rrethuan njerëzit që prisnin autobusin për Prishtinë, në stacionin e autobusëve të Fushë-Kosovës. Ata më pas ndanë gratë dhe fëmijët nga burrat, ndërsa të kapurit i dërguan në një lëndinë aty afër, thuhet në aktakuzë.

Kështu përshkruhet aktakuza për krime lufte e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës kundër Ivan Radivojeviqit që në atë kohë ishte rezervist i policisë serbe.

Katër dëshmitarë të dëgjuar më herët në këtë gjykim kanë thënë ta kenë parë të pandehurin më 26 mars të vitit 1999 të armatosur, së bashku me grupin e serbëve të tjerë që ishin në stacionin e Fushë-Kosovës.

Radivojeviqit do t’i njihet koha e kaluar në paraburgim nga 26 korriku i vitit 2013. Atij iu zgjat paraburgimi deri sa aktgjykimi të marrë formën e prerë.

Mbrojtësi i tij-avokati Miodrag Brkliaq pas dëgjimit të vendimit tha se do të paraqesë ankesë.

Në anën tjetër prokurori i çështjes, tha se është i kënaqur me vendimin dhe u bëri thirrje edhe dëshmitarëve të tjerë që të bashkëpunojnë me EULEX-in.