Vazhdon gjykimi i gjykatësve

Në Gjykatën Themelore në Prizren nga janari po vazhdon gjykimi kundër 8 ish gjykatësve nga gjykata Komunale dhe ajo e Qarkut në Prishtinë si dhe dy zyrtarëve të tjerë.  Në Kinemanë ABC në Prishtinë po mbahet gjykimi në këtë rast.

Të pandehurit: Nuhi Uka, Ekrem Agushi, Ferid Bislimi, Sanije Muçolli,  Shemsije Sheholli, Rrahman Retkoceri, Olga Janiçijeviq, Tihomir Mikariq, Hasnije Balidemaj, dhe Gazmend Gashi, akuzohen se kanë keqpërdorur pronat e kombinatit bujqësor “KBI Kosova Eksport” për përfitime të paligjshme materiale.

Gjatë seancave të mbajtura në muajin shkurt, para gjykatës dëshmuan dëshmitar të ndryshëm në mesin e të cilëve edhe ish koleg të ish-gjykatësve tani të pandehur në këtë çështje.

Makifete Saliuka e Manushe Karaqi ishin dy gjykatëset dëshmitare në këtë çështje. Ato treguan për praktikat që kishin ndjekur si gjykatëse në Gjykatën Komunale në Prishtinë në lëndët që kishin të bënin me ish AKM-në.

Gjykata dëgjoi edhe dëshminë e administratorit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Naser Hoxha, i cili tregoi për punët që ai i kishte kryer në atë kohë dhe menaxhimin që kishte bërë me ndarjen e lëndëve.

Palët gjatë shkurtit u pajtuan që të mos i thërrasin të gjithë dëshmitarët e paraparë por u pajtuan që deklarimet e tyre të konsiderohen si të lexuara.

Nuhi Uka ishte kryetar i Gjykatës Komunale të Prishtinës, Olga Janiçijeviq ish gjykatëse, Ekrem Agushi ish gjykatës, Tihomir Mikariq ish gjykatës, Rrahman Retkoceri ish gjykatës, Ferid Bislimi ish gjykatës, Sanije Muçolli ish gjykatëse, dhe Shemsije Sheholli ish gjykatëse

Hasnije Balidemaj ishte zyrtare nga ndërmarrjen shoqërore “KBI” prej vitit 2000 – 2006, ndërsa Gazmend Gashi punonte si jurist në Komunën e Prishtinës, i punësuar në Drejtorinë për Financa dhe Çështje Pronësore gjatë viteve  2001- 2006, duke qenë njëherësh edhe dhëndër i Nuhi Ukës, janë të akuzuarit e tjerë. 

Të gjithë ish gjykatësit me përjashtim të ish kryetarit Nuhi Uka, po akuzohen për nxjerrjen e kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, ndërsa Hasnije Balidemaj dhe Gazmend Gashi për ndihmë në nxjerrjen e kundërligjshme të vendimeve gjyqësore.

Të gjithë të pandehurit, me përjashtim të Hasnije Balidemaj, do të mbrohen në heshtje. Ndërsa për muajin mars është caktuar vetëm një seancë dhe atë për datën 12 mars.