Dėnohet pėr krime lufte

Gjatë muajit maj, Kolegji i Gjykatësve nga EULEX-i dhe gjykatës vendas, pas pleqërimit të lëndës dhe shikimit detaj të saj, shpallën fajtor, duke e dënuar me 14 vjet burgim dhe 500 euro gjobë, të pandehurin Zoran Koliqi.
Koliqi, nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ishte i akuzuar për dy vepra penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile, të kryera në Burgun e Lipjanit, më 24 maj 1999, dhe një vepër të mbajtjes në pronësi, në kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar, të armëve.
Policia e Kosovës e kishte arrestuar Zoran Koliqin, pasi Jakup Rexhepi, viktimë e rastit, ishte interesuar të siguronte informacione në lidhje me të. Në kohën e arrestimit, ai ishte punëtor i Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK). Ai është duke qëndruar në paraburgim, që nga prilli i këtij viti.
Zoran Koliqi akuzohet se më datën 24 maj 1999, gjersa po transportoheshin të burgosurit shqiptarë nga burgu i Dubravës për në atë të Lipjanit, ka qëndruar tek hyrja dhe në kordonin e krijuar nga policia dhe punëtorë të Burgut të Lipjanit, ka marrë pjesë aktivisht në rrahjen dhe trajtimin çnjerëzor të Gani Morinës.
Gani Morina, ditën e 24 majit 1999, gjatë hyrjes në Burgun e Lipjanit, ishte goditur nga kordoni i krijuar nga policë e punëtorë të këtij burgu. Në këtë kordon, Koliqi kishte marrë pjesë aktivisht në rrahjen me armë, grushte e shqelma të Gani Morinës, i cili nga lëndimet e marra vdes të nesërmen.
Po me të njëjtën datë, 24 maj, Zoran Koliqi kishte marrë pjesë në rrahjen dhe trajtimin çnjerëzor të Jakup Rexhepit. Rexhepi teksa po kalonte në kordonin e krijuar në hyrje të Burgut të Lipjanit, ishte rrahur me grushte, shqelma e shkopinj gome, nga Zoran Koliqi dhe persona të tjerë, deri më tani të paidentifikuar.
Koliqi është akuzuar edhe për mbajtjen e një pistolete të tipit Zastava TT, dy karikatorëve dhe 37 plumbave, vepër të cilën Koliqi e kishte pranuar.
Për pikën një të aktakuzës, që ka të bëjë me viktimën Gani Morina, gjykata e shpalli fajtor Koliqin dhe e dënoi me burgim në kohëzgjatje prej 10 vitesh. Për pikën dy të aktakuzës, që ka të bëjë me viktimën Jakup Rexhepi, gjykata e shpalli fajtor dhe e dënoi me 6 vjet burgim. Për pikën 3 të aktakuzës, gjykata e shpalli fajtor dhe e dënoi me 500 euro. Gjykata dha një dënim unik për Zoran Koliqin, ashtu që i njëjti dënohet në kohëzgjatje prej 14 vjetësh në burg dhe 500 euro gjobë.
Palëve iu dha e drejta e ankesës në vendimin e gjykatës, ndërsa ankesë paralajmëruan të dy mbrojtësit e Koliqit.
Vendimin e saj, gjykata e arsyetoi me faktin se ka gjetur se nga shkresat dhe provat e lëndës, standardet penale janë kaluar, ashtu që ka tejkaluar dyshimin e bazuar. Vendimi i gjykatës është i bazuar në deklaratën e dëshmitarit kryesor dhe të dëmtuarit, Jakup Rexhepi, i cili në seancë të jashtëzakonshme kishte dëshmuar për veprimet e Zoran Koliqit. Po ashtu, Koliqin e kishin njohur edhe dy dëshmitarë të tjerë.