Drejtorët shpallen të pafajshëm

Naim Huruglicën dhe Lulëzim Rafunën, shtatori i vitit 2011 i kishte sjellë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, para gjykatësit të EULEX-it për konfirmim. Prokuroria Speciale e Kosovës, përkatësisht prokurori special nga EULEX-i, Joachim Stollberg, më 8 qershor 2011 kishte ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve. Prokuroria i akuzonte ata për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe të autorizimit, vepër e dënueshme nga një deri në tetë vjet, si dhe për veprën penale të keqpërdorimit të autorizimit në ekonomi, e dënueshme nga një deri në tetë vjet, të gjitha të kryera në bashkëkryerje.
Më 10 nëntor 2008 ishte miratuar ligji për rritjen e taksave në Kosovë. Në mesin e taksave të rritura ishte edhe taksa e importit të duhanit, dhe tani për një kilogram duhan, në vend të 17 eurove sa paguhej më parë, duhej të paguheshin 21 euro. Ligji hynte në fuqi me 1 janar 2009.
Në këtë kohë kompanitë vendore “Gekos”, “Buqaj”, “Tabakos” dhe “Kosova Tobacco” kishin paguar banderolat për importin e duhanit, por ato kishin importuar një sasi më të madhe të duhanit, se në vitin paraprak.
Sektori i akcizës në Doganat e Kosovës, duke e parë mundësinë se mund të importohej një sasi më e madhe e duhanit me taksën e ulët, vendosi që të mos importohet duhan gjatë dhjetorit të 2008-ës. Meqë sektori i akcizave kishte marrë këtë vendim, kompanitë ishin ankuar dhe sektori i rishikimit kishte marrë vendim, të cilin nuk e la ta publikonte vetë drejtori Huruglica, me arsyen se duhet të konsultohet me ish-ministrin e Financave, Ahmet Shala. Pasi që takohet me ish-ministrin Shala, drejtori Huruglica e merr kompetencën nga sektori i rishikimit dhe atë e delegon tek drejtori i Zyrës Ligjore, Lulëzim Rafuna, i cili me vendimin e tij e lejon importim e duhanit. Me këto veprime dyshohej se të pandehurit i shkaktuan një dëm buxhetit më shumë se 5000 euro, duke pasuruar kompanitë importuese. Ata në dhjetorin e 2008-së e kishin lejuar importin e një sasie të madhe të duhanit me taksën më të ulët, duke e tejkaluar limitin e vënë nga sektori i akcizës në Doganat e Kosovës, nga kompanitë vendore “Gekos”, “Buqaj”, “Taakos” dhe “Kosova Tobacco”.
Këto akuza nuk i pranuan të pandehurit as në seancën e konfirmimit, duke argumentuar të kundërtën në të gjitha pikat. Mbrojtja kishte argumentin e saj se Huruglica e Rafuna nuk e keqpërdorën pozitën zyrtare dhe autorizimin dhe nuk e keqpërdorën autorizimin në ekonomi, ashtu që mbrojtja argumentoi se kompanitë e importit kishin blerë më parë banderolat dhe kishin paguar më parë ato, kështu që importi është dashur të lejohet.
Lidhur me çështjen e marrjes dhe dhënies së kompetencave nga drejtori Huruglica, mbrojtja e arsyetoi se ligji i lejon një gjë të tillë drejtorit dhe se nuk është një gjë jo e zakonshme në dogana, kjo pasi që drejtori i Zyrës Ligjore ishte mbi të gjitha zyrat e tjera.
Mbrojtja kërkoi që të dinte se cilat ishin provat e prokurorisë lidhur me atë se cili ishte përfitimi material që kishin përfituar të pandehurit nga ky veprim. Prokuroria dështoi ta sillte këtë provë në gjykatë.
Gjykatësi i konfirmimit, duke e parë se nuk ka prova të mjaftueshme për të kaluar aktakuza në fazën e gjykimit, merr aktvendim dhe aktakuzën e refuzon në mungesë provash.
Prokuroria u deklarua se do ta ankimonte një vendim të tillë dhe pas ankesës së prokurorit special, aktakuza u konfirmua pjesërisht nga kolegji i gjykatësve në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë dhe atë vetëm për pikën një të aktakuzës që kishte të bënte me shpërdorimin e detyrës zyrtare dhe autorizimit.
Me këtë vepër, Huruglica dhe Rafuna, u paraqitën para kolegjit të gjykatave të EULEX-it dhe gjykatëses vendase. Kolegji përbëhej nga kryetari Viktor Hugo Pardal, Tonka Berishaj dhe Tore Thommason, anëtarë.
Përkundër faktit se po zhvillohej një procedurë penale për të dy të pandehurit, Dogana e Kosovës nuk e respektuan Ligjin për Shërbimin Civil, i cili ligj në nenin 69 parasheh edhe pezullimin parandalues për nëpunësit civilë. Sipas këtij neni, nëpunësi civil pezullohet me pagesë 50 për qind të rrogës së tij menjëherë, nëse kundër tij është iniciuar procedurë penale për kryerje të veprës penale, gjatë ushtrimit të funksioneve të tij. Të dy të pandehurit vazhdonin të punonin në pozitat e tyre në Doganë.
Në seancën e parë të mbajtur në shqyrtim kryesor, të pandehurit u deklaruan të pafajshëm, ndërsa mbrojtja e quajti gjykimin një gjykim politik.
Prokuroria në gjykatë propozoi me aktakuzë më shumë 10 dëshmitarë para gjykatës që të dëshmonin atë që kishte ndodhur në fundvitin e 2008-ës. Po ashtu propozoi edhe shumë prova materiale. Në mesin e dëshmitarëve, gjatë shqyrtimit, pati edhe ekspertë që vlerësuan punën dhe humbjet që kishte pasur Dogana dhe buxheti i Kosovës. Po ashtu si dëshmitarë u paraqitën edhe punëtorët nga Doganat e Kosovës, të cilët treguan se cilat ishin kompetencat e tyre dhe çfarë kishin vepruar të pandehurit në atë kohë. Të gjithë dëshmitarët nga Doganat treguan se banderolat ishin blerë paraprakisht nga kompanitë vendore të lartcekura dhe se ato ishin blerë para se ligji të miratohej dhe të hynte në fuqi.
Mbrojtja edhe gjatë seancave të shqyrtimit kryesor, argumentoi pafajësinë e të pandehurve, duke shpjeguar në mënyrë të detajuar se si kishin vepruar të pandehurit dhe se si të njëjtit nuk kishin pasur asnjë përfitim material nga vendimi që kishin marrë.
Kolegji i gjykatësve, pas pleqërimit të çështjes, me aktgjykim i shpalli të pafajshëm të dy të pandehurit në mungesë të provave.
Gjykata vendimin e arsyetoi në atë se kolegji nuk kishte gjetur prova të mjaftueshme që vendimi për lejimin e importit të duhanit ishte vendim që ka shkuar në dëme të buxhetit të vendit dhe me këtë vendim kanë përfituar të pandehurit.
Gjykata i dha palëve mundësinë e paraqitjes së ankesës. Ankesë paralajmëroi vetëm prokurori i çështjes.