Nazim Bllaca i përgjigjet mbrojtjes

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, nën masa të rrepta të sigurisë, në fund të muajit maj është paraqitur për të dëshmuar Nazim Bllaca, dëshmitari bashkëpunues për rastin e vrasjes së Ibush Kllokoqit dhe tentimvrasjes së Adem Salihajt dhe Ismet Arifit.
Të akuzuar në këtë çështje janë: Fahredin Gashi, i dënuar me 18 vjet burgim në rastin Bllaca I, Shpresim Uka, Sadik Abazi, Driton Hajdari, Bekim Syla dhe Shaban Syla.
Gjatë tri seancave, dëshmitari bashkëpunues, Bllaca, u përgjigj në pyetjet e bëra nga mbrojtja e të pandehurve.
Bllaca vazhdoi rrëfimin për krimet që kishte bërë ai, me të akuzuarit. Ai u pyet edhe një herë nga mbrojtja se si ishin kryer krimet dhe nga kush ishin urdhëruar kryerja e atyre krimeve.
Dëshmitari bashkëpunues tregoi se si kishte marrë urdhra nga i pandehuri Fahredin Gashi, për vrasjen e Salih Gashit dhe se si së bashku me këtë të pandehur, pasi që kishin kryer krime, iu ishin kthyer bizneseve dhe kishin fituar shumë para.
Më tej, Bllaca iu përgjigj të gjithë mbrojtësve, edhe pse në disa raste ai u gjend në pozita të palakmueshme, kur avokatët mbrojtës e ballafaqonin atë me deklaratat e dhëna në polici e prokurori.
Për të gjitha dyshimet që ngriheshin nga mbrojtja lidhur me ndryshimet në dëshminë e tij, Bllaca kishte përgjigje, duke i sqaruar kështu gjykatës të gjitha dilemat.
Seancat e majit, po ashtu, u karakterizuan me gjendjen e përkeqësuar shëndetësore të të pandehurit Fahredin Gashi, i cili sipas raporteve mjekësore, vuan nga një depresion i thellë. Mirëpo gjykata prapë vendosi që Gashi mund ta ndjekë gjykimin.
Në këto seanca Bllaca përmes një letre kërkoi nga kolegji që të mos i reduktohet siguria nga ana e policisë së EULEX-it. Seancat do të vazhdojnë në muajin qershor.