Ndërrohet anëtari i kolegjit në Rastin Medicus

Gjatë muajit maj, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë vazhduan seancat në rastin e njohur për publikun si Rasti Medicus.
Në këtë muaj kolegji i gjykatësve pësoi ndryshime, kështu që në vend të gjykatësit Hamdi Ibrahimi, tani në kolegj është gjykatësi Vahid Halili. Deri te ky ndryshim ka ardhur, pasi që gjykatësi Ibrahimi ishte caktuar kryetar i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë dhe me detyrën e re ka lëshuar edhe vendin e gjykatësit në kolegj.
Të pandehurit në këtë çështje janë Lutfi Dervishi, me profesion mjek dhe profesor i urologjisë; Arban Dervishi, ekonomist i diplomuar; Driton Jilta, mjek nga komuniteti turk në Kosovë dhe ish-punëtor shëndetësor i OSBE-së në Kosovë; Ilir Recaj, mjek dhe ish-sekretar Permanent në Ministrinë e Shëndetësisë në kohën e ministrit Alush Gashit; Sokol Hajdini, Islam Bytyçi dhe Sylejman Dula, të tre mjekë anesteziologë.
Në këtë seancë, kryetari i kolegjit i pyeti palët nëse dëshironin që shqyrtimi të fillonte nga fillimi, apo që seanca të vazhdonte e në procesverbal të konstatohej se palët janë pajtuar që të lexohen të gjitha procesverbalet, në pajtim me nenin 345 të KPPK-së.
Prokurori dhe mbrojtja u pajtuan që seanca të vazhdonte dhe shqyrtimi të mos ndërpritej, ata rekomanduan që të konsiderohen si të lexuara të gjitha procesverbalet. Por kërkuan që gjykatësi i ri, si anëtar i kolegjit, t’i lexojë të gjitha procesverbalet.
Gjatë majit në këtë gjykim pati edhe befasi, në njërën nga seancat ishte i pranishëm edhe avokati i të akuzuarit kryesor në arrati, dr. Yosuf Somnez. Por pritja për avokatin e Somnezit nuk qe aq e mirë nga kryetari i kolegjit.
Pasi që avokati Ismet Shufta e lajmëroi praninë e avokatit të Somnezit në publikun e sallës së gjykimit, kryetari i kolegjit me një ton jo shumë miqësor e nxori jashtë nga salla e gjykimit, me arsyen se mund të merrte informata të cilat mund t’i përdorte në gjykimin e Somnezit.
Me këtë veprim, kryetari i kolegjit shkeli parimin e publicitetit në seanca të hapura për publikun. Ai, po ashtu, shkeli nenin 328 paragrafi 1 i Kodit të Procedurës Penale të Kosovës. 
Qëllimi i vizitës së avokatit të Somnezit ishte që të lajmëronte gjykatën se Somnezi ishte i gatshëm për të bashkëpunuar me gjykatën në disa kushte të caktuara, njoftoi kolegjin avokati Shufta.
Gjatë kësaj seance, prokurori i çështjes njoftoi kolegjin se në Izrael është arrestuar Moshe Harel dhe nëntë persona të tjerë. Lajm tjetër nga Izraeli ishte se autoritetet izraelite kishin rregulluar dëgjimin e dëshmitarëve dhe të dëmtuarve përmes video-lidhjes. Dëgjimi i tyre do të bëhej në muajin qershor.
Kolegji në këtë muaj dëgjoi vetëm një ekspert, i cili e njoftoi kolegjin për raportin e Stojan Stojev, lidhur me të gjeturat në Klinikën Medicus. Seancat vazhdojnë në qershor.