Pesë vjet burgim për ish-gjykatësin Puka, atë e pret gjykimi tjetër

Në Gjykatën e Qarkut në Pejë, një kolegj gjyqësor i përbërë nga gjyqtarë të EULEX-it dhe vendas, kanë dënuar me pesë vjet burgim ish-gjyqtarin e Gjykatës Komunale në Klinë, Kolë Puka për keqpërdorim të detyrës zyrtare ose të autorizimit. Me tre vjet burgim është dënuar avokati Lon Palushaj dhe me gjashtë muaj doktori Bedri Bakalli, që të dy për mashtrim. Ndërsa, anëtari i grupit, Isa Salihi është liruar nga akuza në mungesë të provave.
Kolë Puka është dënuar me pesë vjet burgim dhe masën alternative, ndalim i ushtrimit të detyrës zyrtare për tre vjet, për veprën penale shpërdorimi i detyrës zyrtare ose i autorizimit.
Ndërsa është liruar nga dy pika të tjera të aktakuzës, krim i organizuar dhe nxjerrje e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore.
Lon Palushaj është dënuar me tre vjet burgim dhe masa alternative ndalim i ushtrimit të detyrës zyrtare për tre vjet. Prokurori publik e ka rikualifikuar veprën penale nga krim i organizuar në mashtrim.
Bedri Bakalli është dënuar me gjashtë muaj dënim, me kusht prej dy vitesh, dhe masën alternative të ndalimit të ushtrimit të profesionit për tre vjet. Prokurori e ka rikualifikuar veprën penale nga “krim i organizuar” në “mashtrim”.
I pandehuri i fundit, Isa Salihi, është liruar nga akuza në mungesë të provave.
Një aksident trafiku i ndodhur në rrugën Klinë – Istog, në fshatin Radilloc, në vitin 2006 ishte bërë shtytje për gjyqtarë, avokatë e mjekë që të nisin aferën për shpërdorim në dëm të kompanisë së sigurimeve Fondi i Garancisë së Kosovës, duke e obliguar të paguajë shuma disproporcionale me dëmin që ishte shkaktuar në aksident. E bënë këtë, por në fund çdo gjë shkoi në dëm të tyre.
Fatmir Gashi kishte qenë pjesë e aksidentit, ku të përfshirë kishin qenë një makinë dhe një traktor. Ishin shkaktuar vetëm dëme materiale. Në atë kohë, Fatmir Gashi kishte deklaruar se i ishte kompensuar dëmi prej 3000 eurosh, ndërsa nuk e kishte ditur që dikush po përfitonte mijëra euro në emër të tij. Ai nuk kishte ngritur asnjëherë padi ndaj askujt.
Sipas përshkrimit në aktakuzë, duke filluar nga 12 shtatori 2007 e deri më 8 prill 2008, Kolë Puka, gjyqtar i Gjykatës Komunale në Klinë, ka bashkëvepruar me Isa Salihin, si përfaqësues i kompanisë së sigurimeve Fondi i Garancisë, duke keqpërdorur detyrat zyrtare. Ndërsa Lon Palushaj si avokat dhe Bedri Bakalli si mjek-ekspert, Ortoped-Traumatolog, si pjesëtar të grupit kriminal, kanë falsifikuar fletëlëshimin mjekësor, në emër të të dëmtuarit Fatmir Gashi, kinse ai në një aksident trafiku ka pësuar lëndime të rënda trupore, pa qenë e vërtetë.
Kolë Puka është caktuar si gjyqtar për zgjidhjen e kontestin civil në padinë për kompensim dëmi, për të cilin rast avokat i kishte caktuar tani të pandehurin, Lon Palushaj, pa dijeninë e të dëmtuarit Fatmir Gashi. Me këtë padi është kërkuar shuma prej 50 000 eurosh. Me marrëveshje paraprake me Kolë Pukën, Isa Salihi si përfaqësues i kompanisë, nuk e ka përfaqësuar denjësisht kompaninë në nivel dhe në mënyrë profesionale, duke u bërë kështu pjesë e krimit.
Më pas, Puka ka caktuar si ekspert mjekësor të pandehurin, dr. Bedri Bakallin, të cilit ia ka dërguar lëndën në banesën e tij në Prishtinë, për t’ia lehtësuar punën në keqpërdorim. Detyra e tij kishte qenë vlerësimi i gjendjes shëndetësore të Fatmir Gashit.
Në mënyrë të njëjtë, të kundërligjshme, me bashkëpunim me Kolë Pukën, dr. Bedri Bakalli ka dhënë mendim profesional, në kundërshtim me ligjin, duke u bazuar në një fletëlëshim mjekësor të falsifikuar. Mendimi profesional i dr. Bedri Bakallit ishte bërë prova kryesore mbi të cilën gjyqtari do të mbështeste vendimin e tij gjyqësor. Këta të dy paraprakisht ishin marrë vesh për të gjitha.
Gjykimi kishte filluar në Gjykatën Komunale në Klinë, por i dëmtuari Fatmir Gashi nuk kishte dijeni se po zhvillohej seancë gjyqësore, e as kë e kishte përfaqësues të autorizuar – avokat.
Palët në gjykim ishin marrë vesh për shumën e kompensimit. Gjyqtari Puka i kishte udhëzuar palët që të arrijnë pajtim gjyqësor. Palë ishin, avokati Lon Palushaj në njërën anë dhe Isa Salihi, si përfaqësues i Fondit të garancisë së Kosovës, në anën tjetër.
Vendimi përfundimtar ishte ujdia gjyqësore në mes palëve, por pa dijeninë e të dëmtuarit. Me vendim e kishte obliguar Fondin e Garancisë së Kosovës, që Fatmir Gashit t’i kompensohej dëmi prej 16 000 eurosh dhe 800 euro, të tjera për shpenzimet procedurale.
Me këtë vendim e dëmtuar kishte dalë kompania e sigurimeve, Fondi i Garancisë së Kosovës, obliguese në pagimin e parave.
Ndërkohë, ndaj Kolë Pukës dhe Lon Palushajt dhe Zef Mërlekut ka filluar gjykimi Gjykatën e Qarkut në Prishtinë për vepra të ndryshme penale.
Sipas aktakuzës nga Prokuroria Speciale, Kolë Puka, ish-gjykatës në Gjykatën Komunale në Klinë, akuzohet se në kohën sa ishte gjykatës ka qenë i implikuar në krim të organizuar nga neni 274 paragrafët 1 dhe 3, e dënueshme me gjobë prej 500 000 euro dhe burgim deri në 20 vjet, për veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimit nga neni 339 paragrafi 1 dhe 3 e dënueshme deri në 8 vjet burgim, nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore nga neni 346 e dënueshme prej 6 muajve deri në 5 vjet burgim, mashtrim nga neni 261 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 e dënueshme me gjobë prej 15.000 euro ose me burg prej 6 muajsh deri në 5 vite, falsifikim të dokumenteve dhe rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve nga neni 332 nga paragrafëve 1 dhe 3 e dënueshme me gjobë ose me burg deri në 3 vjet; shmangie nga tatimi nga neni 249 e dënueshme deri në 5 vjet burgim dhe pastrim i parave sipas rregullores së UNMIK-ut 2004/02.
Zef Marleku, avokat nga Klina, akuzohet se ka kryer veprat penale të krim i organizuar nga neni 274, paragrafët 1 dhe 3, e dënueshme me gjobë prej 500 000 euro dhe burgim deri në 20 vjet, për veprën penale Shpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimit, nga neni 339, paragrafi 1 dhe 3 e dënueshme, deri në 8 vjet burgim, mashtrim nga neni 261 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2, e dënueshme me gjobë prej 15 000 euro, ose me burg prej 6 muajsh deri në 5 vite, nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore nga neni 346 e dënueshme prej 6 muajsh deri në 5 vjet burgim, shmangie nga tatimi nga neni 249 e dënueshme deri në 5 vjet burgim.
Lon Palushaj, avokat nga Klina, akuzohet se është i implikuar në veprat penale “Nxjerrje e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore”, nga neni 346 e dënueshme prej 6 muajve deri në 5 vjet burgim; “Mashtrim” nga neni 261, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2 e dënueshme me gjobë prej 15.000 euro, ose me burg prej 6 muajsh deri në 5 vjet; “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 e dënueshme deri në 5 vjet burgim, si dhe “Pastrim i parave”, sipas rregullores së UNMIK-ut 2004/02.
Gjykimi në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, do të vazhdojë gjatë qershorit, me marrjen në pyetje të dëshmitarëve – të dëmtuarve.