Shkeljet procedurale dhe të tjerat nga gjykatat

1. Gjykata e Qarkut në Prishtinë
Në çështjen penale P.nr:101/12, ku si kryetare e trupit gjykues ishte gjykatësja Tonka Berishaj, seanca filloi me 40 minuta vonesë, kjo jo për fajin e gjykatëses a trupit gjykues, por për fajin e prokurorit të çështjes, Idain Smajli.
Prokurori u paraqit në gjykatë, vetëm pasi që gjykatësja Berishaj e kishte lajmëruar kryeprokurorin e Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë, Aleksandër Lumezi, për mungesën e prokurorit.
Gjykatësja konstatoi se ftesa i ishte dërguar prokurorit me datën 09. 03. 2012, më shumë se dy muaj para seancës.
Edhe pse prokurori Smajli erdhi në seancë, ai ishte i papërgatitur, meqë nuk e kishte me vete as lëndën, e as aktakuzën. E për këtë të fundit, në ndihmë i doli prindi i kryeprokurorit të Qarkut të Prishtinës, avokati Nikë Lumezi.

2 Gjykata e Qarkut në Prishtinë
Në çështjen penale P.nr: 209/12, në të cilën si kryetare e trupit gjykues ishte gjykatësja Hava Haliti, seanca filloi me 10 minuta vonesë, kjo për shkak të problemeve me gjetjen e një salle të gjykimit.
Dy nga tre të pandehurit në këtë çështje, kishin pranuar fajësinë për veprat me të cilat akuzoheshin. Për njërin nga të pandehurit vazhdoi procedura e provave, e kur ajo përfundoi, gjykata ftoi të pandehurin që të jepte deklaratën e tij (mbrojtjen), por nuk i lexoi të drejtat që i ka si i pandehur, duke shkelur nenin 371 paragrafi 2 i KPPK-së. 
Po ashtu, trupi gjykues, derisa dëgjonte mbrojtjen e të pandehurit, nuk largoi nga salla dy të pandehurit e tjerë, me çka u shkel neni 371, paragrafi 3, i KPPK-së.  Kjo shkelje nuk do të ndodhte sikur të mos merrej në pyetje njëri nga të pandehurit që kishin pranuar fajësinë për veprimet e atij që nuk e kishte pranuar fajësinë.

3 Gjykata e Qarkut në Prizren
Gjatë muajit maj në këtë gjykatë u mbajt çështja penale me numër P.nr: 225/10, nën udhëheqjen e gjykatëses Ajser Skenderi, për veprat penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 147, paragrafi 1 pika 11 të KPK-së; veprën penale “Mbajtje në pronësi, në kontroll, në posedim dhe në shfrytëzim të paautorizuar të armëve”, nga neni 328, paragrafi 2 të KPK-së dhe veprën penale “Vrasje e rëndë në ndihmë”, nga neni 147, paragrafi 1, pika 11, të KPK-së.
Fillimisht, shqyrtimi në këtë çështje filloi me 30 minuta vonesë e kjo për shkak të vonesës së Trupit Gjykues. Gjatë këtij shqyrtimi, gjykata dëgjoi disa dëshmitarë, por asnjërit nga ta, kryetarja e trupit gjykues Skenderi, nuk ua lexoi të drejtat që i kanë si dëshmitarë, me çka shkeli nenin 162 të KPPK-së. 
Ndërkohë, gjykatësja Ajser Skenderi, në një çështje tjetër penale me numër P.nr:57/11, ku ishte kryetare e trupit gjykues, e filloi seancën me 1 orë e 10 minuta vonesë. Ndërkohë prokurori, palët dhe publiku, që në këtë seancë ishte në një numër mjaftë të madh, pritën në sallën e gjykimit. Arsyetimi i trupit gjykues ishte se anëtarja e trupit gjykues e deleguar, gjykatësja Kimete Kecaj, ishte e zënë në një kolegj me gjykatës të EULEX-it.

4 Gjykata e Qarkut në Prizren
Në çështjen penale të detyrimit, nga neni 267, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, të gjitha të lidhura me nenin 23, dhe veprën penale “Dëmtimi i pasurisë së luajtshme”, nga neni 260 të KPK-së, me numrin P.nr:160/09, ku si kryetar i trupit gjykues ishte gjykatësi Veton Durguti.
Në këtë seancë, mungonte mbrojtësi i njërit nga të akuzuarit, avokati Rexhep Hasani, edhe pse ftesën e kishte marrë në mënyrë të rregullt, e mungesën nuk e kishte arsyetuar. Prokurori propozoi që ndaj avokatit të merren masat e parapara ligjore për dënimin e tij.
Në seancë mungonte, po ashtu, i dëmtuari. Lidhur me të dëmtuarin, prokurori i Qarkut Genc Nixha, propozoi që për seancën e radhës të sjellët me dhunë nga policia, si dhe kjo seancë të shtyhet.
Mirëpo Trupi Gjykues pas një konsultimi 20-minutësh e vazhdoi seancën, e në këtë kohë avokati Hasani e kishte njoftuar gjykatën se ishte i angazhuar në një çështje tjetër penale. Trupi gjykues nuk ndërmori asnjë veprim për dënimin e avokatit që mungonte.
Në një çështje tjetër penale me numër P.nr:187/07, ku kryetar i trupit gjykues ishte, po ashtu, gjykatësi Veton Durguti, seanca filloi me 15 minuta vonesë.
Gjatë shqyrtimit u pa se Prokuroria e Qarkut në Prizren, nuk i kishte kryer hetimet si duhet, kjo pasi që ish-prokurori Hashim Qollaku, tani gjykatës në Gjykatën e Qarkut në Prizren, nuk i kishte marrë deklaratë në cilësinë e të pandehurit, njërit nga të pandehurit. Gjatë shqyrtimit u pa se në dosjen e lëndës ishte vetëm deklarata e të pandehurit, e dhënë në cilësinë e të dëmtuarit. Si rezultat i kësaj, prokurori Mehdi Sefa, u desh që përherë të parë ta marrë në pyetje në cilësi të të pandehurit, në kohën sa ai po e jepte mbrojtjen e tij, punë të cilën është dashur ta kryente më parë ish-prokurori Qollaku, derisa po i zhvillonte hetimet.

5 Gjykata Komunale në Suharekë
Në dy çështjet penale me numrat P.nr: 578/11 dhe P.nr: 501/10, të mbajtura te gjykatësi Robert Tunaj. E para për veprat penale të kanosjes dhe të dëmtimit të pasurisë së paluajtshme, ndërsa rasti i dytë veprat penale të shpërdorimit dhe pranimit të mallrave të vjedhura.
Gjykatësi Tunaj, të pandehurve në këto çështje, pasi që ua mori të dhënat nuk ua lexoi të drejtat që i kanë sipas Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, më saktë nenin 356, paragrafin 1 dhe 2, të KPPK-së.

6 Gjykata Komunale në Ferizaj
Në çështjen penale me numër P.nr:252/09, e udhëhequr nga gjykatësi Agim Maliqi, për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, nga neni 297, paragrafi 5, lidhur me paragrafin 1 të KPK-së. Gjykatësit i u desh të shtyjë seancën për shkak të mospërgatitjes së ekspertit të caktuar më parë nga gjykatësi. Eksperti nuk i kishte kryer punët sipas kërkesës që i kishte bërë gjykata. Ai para gjykatës kishte prezantuar të dhëna të mangëta lidhur me aksidentin e ndodhur në komunikacion; nuk kishte dalë as në vendin e ngjarjes. Prokurorit komunal, Rasim Maloku, nuk i mbeti gjë tjetër vetëm të propozojë që të bëhet ekspertizë e re, ku do të caktohen tre ekspertë.

7 Gjykata Komunale në Malishevë
Në çështjen penale me numër P.nr:164/09, ku gjykatës ishte Haki Kryeziu, për veprën penale “Shmangie nga tatimi”. Gjykata për këtë çështje penale kishte caktuar një ekspert të lëmisë financiare. Eksperti nuk ishte paraqitur fare në gjykatë në ditën e gjykimit, por ai kishte preferuar që për mungesën e tij ta lajmëronte gjykatësin Kryeziu, përmes një mesazhi telefonik, duke i thënë se tani është punësuar në Komunë dhe nuk mund të vijë si ekspert. Kjo seancë ishte seanca e katërt që po shtyhej, po për shkak të ekspertit, e gjykatësi nuk mori ndonjë veprim ligjor për mungesën e ekspertit dhe mosrespektin e tij karshi gjykatës.