Kleçka, të gjithë të pafajshëm

Kleçka, të gjithë të pafajshëm

Gjykata Themelore e Prishtinës më 17 shtator shpalli aktgjykimin në rastin e njohur si Kleçka, ku për krime të luftës kundër popullatës civile dhe të burgosurve të luftës po akuzohej Fatmir Limaj dhe nëntë bashkëluftëtarë të tij. Të gjithë të pandehurit u shpallën të pafajshëm.

Kjo është hera e dytë që Limaj dhe ata që ai komandonte fitojnë pafajësinë në gjykatë.

Gjykata tha se nuk ka arritur të provojë se të pandehurit kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkoheshin.

Lidhur me dëshmitë e Dëshmitarit X [Agim Zogajt] kryetari i trupit gjykues në arsyetim tha: “Dëshmitë e Agim Zogajt janë jokonsistente, kontradiktore dhe bien në kundërshtim me dëshmitë tjera”.

Gjykata shpjegoi se bindjen e ka krijuar edhe nga fakti se dëshmia e Zogajt lidhur me një rast, ndryshonte komplet nga dëshmitë që ajo posedon dhe ka tanimë.

Zogaj në dëshminë e tij kishte thënë se Arben Krasniqi ishte prezent në vrasjen e një serbi, ndërsa nga dëshmitë që u proceduan në seancë, doli se Arben Krasniqi në atë kohë e kishte të pamundur të merrte pjesë në vrasje, pasi që ishte duke u shëruar, pas plagosjes. 

Arben Krasniqi ishte njëri nga dhjetë të akuzuarit e rastit Kleçka.

Kryetari i trupit gjykues Malcolm Simmons po ashtu shtoi se “disa nga dëshmitë e Zogajt shihen se janë fabrikim i qartë … e gjithë dëshmia e tij është e pabesueshme”.

Trupi gjykues tha se ka arritur në konstatimet se në vitin 1999 ka pasur një qendër paraburgimi në Kleçkë, ku janë mbajtur njerëz, se gjashtë serbë janë vrarë në kohë të ndryshme dhe Arben Avdyli zyrtarisht është i zhdukur.

Fatmir Limaj së bashku me të akuzuarit e tjerë ngarkoheshin se në bashkëkryerje kanë “dhunuar integritetin trupor dhe shëndetin e një numri të papërcaktuar të civilëve serbë dhe shqiptarë dhe të burgosurve ushtarakë serbë, të paraburgosur në qendrën e paraburgimit në fshatin Kleçkë, komuna e Lipjanit.

Këta civilë serbë dhe shqiptarë dhe të burgosur ushtarakë serbë, sipas aktakuzës janë mbajtur në kushte çnjerëzore (të lidhur me zinxhirë, në ndërtesa të papërshtatshme me ftohtësi ekstreme, mungesa sanitare dhe ushqimi, duke iu nënshtruar edhe rrahjeve të shpeshta)”.

Akuzat për kryerjen e këtyre veprave përfshinin periudhën nga janari 1999 deri në mesin e qershorit të të njëjtit vit.

Limaj dhe të tjerët janë liruar nga të gjitha akuzat me të cilat ngarkoheshin, pasi gjykata i konsideroi të pabesueshme dëshmitë e Dëshmitarit X.

Pas aktgjykimit lirues, ka reaguar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës nga EULEX-i, Jonathan Ratel.

Ai tha se prokuroria e pranon aktgjykimin dhe se Gjykata e ka dhënë vendimin e saj në këtë ndjekje shumë të vështirë dhe të gjatë.

Në pranverën e vitit 2012 Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtarët e tij u liruan nga akuzat për krime të luftës kundër popullatës civile dhe të burgosurve të luftës për rastin e njëjtë.

Në atë kohë Gjykata e Qarkut në Prishtinë nuk kishte gjetur dëshmi se të pandehurit ishin fajtorë, duke i shpallur edhe atëherë si prova të papranueshme dëshmitë e Dëshmitarit X, të njohur si Agim Zogaj.

Në nëntorin e 2012-ës, Gjykata Supreme e Kosovës pranoi ankesën e Prokurorisë Speciale nëpërmjet Prokurorit të Shtetit, kundër aktgjykimit lirues për Fatmir Limajn dhe tre bashkëluftëtarët e tij në rastin “Kleçka”, duke e kthyer rastin në rigjykim.

Me Limajn do të rigjykoheshin edhe Naser e Nexhmi Krasniqi dhe Naser Shala.

Gjykata këtë radhë i konsideroi si të pranueshme deklaratat dhe ditarin e dëshmitarit kryesor, Agim Zogajt, i njohur si X. Zogaj u gjet i vdekur në shtator 2011, në Duisburg të Gjermanisë, derisa gëzonte statusin e dëshmitarit të mbrojtur nga EULEX-i.

Pas Fatmir Limajt dhe tre bashkëluftëtarëve të tij, Gjykata Supreme riktheu në rigjykim edhe 6 pjesëtarët e tjerë të përfshirë në rastin “Kleçka”.

Arben Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj, iu nënshtruan rigjykimit, njësoj si katër të pandehurit tjerë të “Kleçkës”, edhe pse në mars të 2012-ës ishin shpallur të pafajshëm.

Arsyetimi edhe te ky vendim ishte i njëjtë si në rastin e vendimit kundër Limajt dhe të tjerëve.

Prokuroria Speciale e Kosovës përmes prokurorit ka bërë të ditur se kundër aktgjykimit për lirimin e të pandehurve do të paraqes ankesë