Sabit Geci dhe të tjerët kërkojnë lirimin në Apel

Sabit Geci dhe të tjerët kërkojnë lirimin në Apel

Më 10 shtator në objektin e Gjykatës Supreme u mbajt seanca dëgjimore si rezultat i ankesës së Sabit Gecit, Riza Alisë, Haki Hajdarit, Shaban Hotit dhe Sali Rexhepit.

Ata iu ankuan Apelit pas dënimeve për akuzat se gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s kishin kryer krime kundër popullatës civile.

Të gjithë të dënuarit kishin apeluar, duke cilësuar dispozitivin e aktgjykimit si të pakuptueshëm dhe kundërthënës me arsyetimin.

 “Nuk do kërkoj asnjëherë mëshirë, por vetëm drejtësi, por nuk jam i sigurt se do e gjej” ishin fjalët e Sabit Geci në seancën e së martës.

Ai deklaroi se si policia e UNMIK-ut e kishte shqetësuar periodikisht, duke u munduar që të përfitojë nga ai informata për njerëzit që sipas tij kanë qenë viktima, përderisa EULEX-i dhe pse e kishte dënuar me 15 vjet burg, kurrë nuk i kishte bërë shtypje me anë të pyetjeve dhe nuk e kishte shqetësuar ndonjëherë.

Ankesat e avokatëve

Avokatët mbrojtës të Gecit, në ankesë ndër të tjera kishin theksuar se krimet nuk ishin kryer në territorin e palës së konfliktit të armatosur, andaj normat ndërkombëtare në këtë rast janë të pazbatueshme. Për më tepër, në ankesë ishte theksuar se nuk ka pasur dëshmi se Geci ka pasur pozitë hierarkike ushtarake në kampin e Cahanit.

Cahani është një lokalitet në veri të Republikës së Shqipërisë.

Mahmut Halimi, mbrojtës i Sabit Gecit, gjithashtu shtoi se “UÇK-ja nga dhjetori i vitit 1998 i ka pasë të mbuluara të gjitha strukturat komanduese” duke shtuar se i mbrojturi i tij nuk ka mundur të jetë në pozita komanduese.

“S’kam mohuar se kam qenë në Kukës dhe Cahan, e as që kam qenë pjesë e UÇK-së qysh prej 96-ës, e as që lufta na u imponua, nuk shkova në luftë me vullnet”, deklaroi Sabit Geci.

Avokati Halimi ndër tjera thotë se është aplikuar gabimisht ligji penal, sepse nga një vepër e vetme penale që ndjekej fillimisht nga prokurori, bëhen gjashtë vepra penale me ndërrimin e prokurorit të rastit.

Përfundimisht dënimi prej 15 vjetësh për Gecin është cilësuar si tejet i ashpër nga mbrojtësit, sepse sipas avokatëve veprat për të cilat ai është dënuar, është dashur që të rikualifikohen në një vepër të vetme.

Ankesa e Riza Alisë thoshte se është konstatuar gabimisht nga ana e gjykatës, se i dëmtuari Imer Imeri ishte rrahur në mënyrë konstante nga i pandehuri, kur Imeri vetë kishte thënë se vetëm dy herë është rrahur nga Alija. “Kemi vetëm dy deklarata të dëshmitarëve që thonë se i mbrojturi im (Riza Alija) ka mshu pesë apo gjashtë boksa”, thotë mbrojtësi i të pandehurit Riza Alija, Gëzim Kollqaku.

Për më tepër, Alija ishte dënuar për rrahjen e dy dëshmitarëve tjerë të cilët ose nuk kanë dëshmuar fare, ose nuk e kanë fajësuar Alinë për këtë veprim. Gabimi tjetër i gjykatës, sipas ankesës, qëndron aty se është marrë deklarata e Imerit si e besueshme, kur në fakt ky i fundit nuk ka mundur ta identifikojë fotografinë e Riza Alisë.

Avokati Gëzim Kollqaku shtoi se i mbrojturi i tij 99 për qind të kohës ka qenë në vijën e frontit, jo në kampin e Cahan-it, i cili as që ka mundur të lirojë ose mbajë dikë në kampin në Cahan, pasi që nuk ka qenë pjesë komanduese e hierarkisë.
Sipas tij, “në mungesë të provave materiale, klienti i tij [duhet] të lirohet, ose të ketë një rigjykim të rastit”.

Edhe ankesat e të tjerëve kishin kritikuar dispozitivin e aktgjykimit si mospërputhës me arsyetimin, si dhe kishin cilësuar dënimet e dhëna si të ashpra dhe pa u marrë parasysh rrethanat lehtësuese.

Aktgjykimet dhe dënimet

Gjykata e Qarkut në Mitrovicë, kishte shpallur fajtor Sabit Gecin për katër pika të aktakuzës për krime lufte kundër popullsisë civile si dhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Gjykata atë e kishte dënuar me një dënim unik prej 15 vjetësh burg dhe 4,000 eurosh gjobë, për veprën penale armëmbajtje pa leje, me aktgjykimin e shpallur më 29 korrik të 2011-ës. Ndërkaq ishte liruar nga akuza se kishte kryer vrasje dhe se kishte dhënë urdhër për dhunim të integritetit trupor të disa civilëve.

Po në të njëjtin aktgjykim, Riza Alija ishte shpallur fajtor për dy pika të aktakuzës që e inkriminonin atë si kryes të krimeve të luftës kundër popullsisë civile, duke i shqiptuar një dënim unik prej 12 vjetësh burg.

Po i njëjti ishte liruar nga akuza se kishte bërë trajtim çnjerëzor ndaj të ndaluarve në kampe.

Gjykata e Qarkut në Mitrovicë kishte dënuar me 6 vjet burg Haki Hajdarin dhe me 7 vjet burg Shaban Hotin, po ashtu më 29 korrik në çështjen e njëjtë, duke e provuar dyshimin e bazuar se këta kishin kryer torturë ndaj civilëve në kampin në Cahan.

Ndërsa me 13 tetor 2011, për akuzat e njëjta kishte dënuar me 5 vjet burg Sali Rexhepin.