Vazhdohet paraburgimi për grupin e Drenicës

Vazhdohet paraburgimi për grupin e Drenicës

Sylejman Selimi, Sami Lushtaku dhe pesë të dyshuarit e tjerë të dyshuar për krime lufte do të qëndrojnë në paraburgim edhe dy muaj. Kështu ka vendosur gjatë gushtit një gjykatës i EULEX-it.

Prokurori special Maurico Salustro ka kërkuar nga gjykata që të vazhdohet paraburgimi për shtatë të dyshuarit për krime lufte të njohur si Grupi i Drenicës.

Kryetari i komunës së Skënderajt Sami Lushtaku, ambasadori i Kosovës në Shqipëri Sylejman Selimi, Sahit Jashari, Avni Zabeli, Hysni Thaçi, Jahir Demaku dhe Zeqir Demaku do të qëndrojnë  në paraburgim deri më 23 tetor 2013.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se ”…nuk kanë ndryshuar rrethanat” për të liruar të pandehurit, thuhet në komunikatën e lëshuar nga misioni europian për sundim të ligjit.

Të pandehurve iu ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak më 24 maj 2013.

Gjykata e Apelit  caktoi masën e paraburgimit për të parën herë më 31 maj 2013. Një muaj më pas, më 23 qershor 2013 të pandehurve i ishte vazhduar paraburgimi.

Për këtë rast prokuroria speciale ende nuk ka ngritur aktakuzë, por është duke zhvilluar hetime.

Të pandehurit dyshohet se kanë cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e një numri të padefinuar të civilëve shqiptarë të mbajtur në Likoc të komunës së Skënderajt.