AFERA E ZARFIT TË PROKURORISË

“Drejtësia në Kosovë” sjell rrëfimin ekskluziv të Vahide Badivukut, prokurores e cila është duke e hetuar Gani Gecin për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit.

Në bisedën e saj Badivuku ka nxjerrë në pah fakte të cilat dëshmojnë se zyrtarë të lartë të Prokurorisë së Shtetit u interesuan të kuptonin se çfarë kishte deklaruar Gani Geci, i dyshuari kryesor i kësaj vrasjeje.

Badivuku ka rrëfyer se si kolegë të saj pak orë pas përfundimit të intervistës i kërkuan një kopje të deklaratës së Gecit, pa i treguar asaj arsyet se pse po i kërkohej kjo deklaratë.

Prokurorja ka përmendur emrat e udhëheqësve të prokurorisë si Sylë Hoxha, Shyqeri Syla e Ismet Ujkani, si persona të involvuar në aferën e zarfit me deklaratën e Gani Gecit.

Badivuku ka rrëfyer se si e kishte nisur deklaratën për në Prishtinë dhe si deklarata ishte kthyer pak orë më vonë në Mitrovcë. Badivuku ka rrëfyer edhe për momentin kur ajo e kishte kuptuar se Sylë Hoxha nuk e kishte kërkuar deklaratën, por dikush e kishte keqpërdorur emrin e tij.

Biseda e plotë me prokuroren Badivuku dhe aktorët e tjerë duke përfshirë ushtruesin e detyrës së  kryeprokurorit Sylë Hoxha dhe kryeprokurorin Shyqeri Syla, transmetohen të premten në orën 20 e 20 në RTK.

Në “Drejtësia në Kosovë” jepet edhe deklarata e Ismet Ujkanit dhe biseda me drejtorin e Zyrës së Prokurorit Disiplinor Zef Prendrecaj.

Në fund të emisionit, “Drejtësia në Kosovë” transmeton Rubrikën “Policia” me aksionet ekskluzive të filmuara në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.