ATK-ja shet pronën kontestuese, KK i Malishevës ia mbyll rrugën qytetarit

“ Drejtësia në Kosovë”, në pjesën e parë transmeton të gjeturat nga hulumtimi i cili flet për aferat e Administratës Tatimore të Kosovës në shitjen e pronave të konfiskuara.

Hulumtimi i ekipit të emisionit “Drejtësia në Kosovë” për konfiskimin e një prone shoqërore nga Administrata Tatimore e Kosovës, tregon se kjo pronë e cila iu shit Behxhet Halitit nga fshati Godanc i Shtimes, doli se është pronë private.

“Drejtësia në Kosovë” sjell faktet se si ATK-ja është përpjekur që ta mbulojë dështimin e vet me kompensimin e një parcele tjetër për fituesin e ankandit Behxhet Haliti, por kishte dështuar.

Në emisionin “Drejtësia në Kosovë” ju do të ndiqni rrëfimin e Behxhet Halitit, i cili i harxhoi tërë paratë e tij nga mërgimi dhe nuk e fitoi të drejtën në pronën që bleu nga ATK-ja.

Po ashtu do të ndiqni edhe akuzat që ATK-ja e Komuna e Shtimes i drejtojnë nga njëra-tjetra dhe faktet se si Prokuroria e Ferizajt nuk kishte gjetur bazë për ta hetuar tërë procesin e shitjes së pronës së konfiskuar nga ATK-ja.

Në pjesën e dytë të emisionit, “Drejtësia në Kosovë” ju sjell rrëfimin e Kastriot Gashit nga fshati Kijevë i Malishevës, i cili thotë se ka mbetur pa qasje në pronat e tij, pas  një vendimi të komunës për ndërrimin e një parcele private me pronën publike.

Hulumtimi i ekipit të “Drejtësia në Kosovë” tregon se prona publike e cila u ndërrua me vendim të Kuvendit Komunal të Malishevës ishte shfrytëzuar me dekada nga Kastriot Gashi për të shkuar në pronat e tij.

Te gjeturat nga hulumtimi tregojnë edhe për hetimet që po kryen Prokuroria Speciale në këtë komunë.
Në fund të emisionit, “Drejtësia në Kosovë” transmeton Rubrikën “Policia”, ku do mund t`i ndiqni filmimet ekskluzive të  ndërhyrjes së njësive speciale në veriun e Mitrovicës, një nga aksionet më të mëdha të njësive speciale në Mitrovicën Veriore.

“Drejtësia në Kosovë” çdo të premte në 20:20 dhe repriza të hënën në mesditë.