Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Prokuroria e Mitrovicës për rastin e kapitenit të Policisë: Rezervohemi në dhënien e informatave

Prokuroria e Mitrovicës ka refuzuar të japë informacione kur është pyetur nga KALLXO.com nëse ka iniciuar apo jo rast penal ndaj kapitenit të Policisë së Kosovës, drejtorit të Drejtorisë kundër trafikimit me qenie njerëzore, Riza Murati. 

Në përgjigjen me shkrim për KALLXO.com, Prokuroria e Mitrovicës më 19.04.2024 ka thënë se rezervohen të japin informacione lidhur me rastin. 

Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se rezervohemi në dhënien e informatave lidhur me rastet të cilat trajtojnë çështje familjare dhe janë të mbyllura për publikun, për shkak të mbrojtjes së jetës personale dhe familjare të të akuzuarit, të dëmtuarit apo pjesëmarrësve tjerë në procedurë dhe atë konform dispozitave të KPPRK-së”- thuhet në përgjigjen e Prokurorisë në Mitrovicë. 

KALLXO.com ka kërkuar të dhëna nëse ndaj kapitetin Murati ka nisur ndonjë procedurë ose është hapur ndonjë rast në lidhje me këtë rast, si dhe kush është prokurori që ka nisur trajtimin e këtij rasti që nga 13.03.2024. 

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e kapitenit Murati nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale – dhunë në familje. 

“Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e një kapiteni policor respektivisht shefit të sektorit qendror për hetimin e trafikimit me njerëz. Hetuesit e IPK-së janë në komunikim të vazhdueshëm lidhur me këtë rast me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë të cilës i janë përcjellë raporte/ deklarata lidhur me veprimet hetimore”- thuhet në përgjigjen e IPK-së. 

IPK ka njoftuar edhe se në kuadër të veprimeve hetimore, sipas procedurave të parapara, ka njoftuar edhe Mbrojtësin e Viktimave, të cilët kanë parashtruar kërkesën për Urdhër Mbrojtës në gjykatën kompetente.

KALLXO.com raportoi më 18.04.2024 ekskluzivisht se Prokuroria në Mitrovicë po hesht për veprimet e ndërmarra në rastin e kapitenit Murati. 

Kjo pasi që më 09.04.2024 KALLXO.com përmes një bisede kishte kontaktuar me bashkëshorten e kapitenit, e cila e kishte denoncuar për dhunë në familje. 

Madje, sistemi i drejtësisë ka lëshuar urdhër mbrojtjeje për të.

Riza Murati, drejtori i Drejtorisë Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore i Policisë së Kosovës ka një vendim që ia ndalon t’i afrohet bashkëshortes së tij L. M. prej 50 metrash në vende publike dhe 100 metra në vendbanimin e së njëjtës. Gjithashtu i ndalohet që të komunikojë me L.M. në mënyrë të drejtëpërdrejtë, përmes personave të tretë, ta shqetësojë, manipulojë, ofendojë bashkëshorten e tij.

KALLXO.com ka siguruar vendimin që ka lëshuar Gjykata e Prishtinës për L.M., e cila më 12.03.2024 përmes Zyrës për Mbrojtjen dhe Ndihmë të Viktimave ka kërkuar urdhër mbrojtje.

Kjo për faktin se e njëjta e ka raportuar Riza Muratin për dhunë në familje, dhunë psikike, madje edhe fizike në të kaluarën.

Që nga 12 marsi i këtij viti kapiteni i Policisë së Kosovës po hetohet për dhunë në familje, prokuroria hesht për veprimet e ndërmarra