Filtrimi i dyshimtë i ligjeve

Këtë të premte Drejtësia në Kosovë sjell detaje rreth parregullsive gjatë hartimit të ligjeve për Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial.

Hulumtimi nxjerr në pah se rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe rekomandimet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës të cilat ishin përfshirë në draftin e parë të ligjit janë fshirë nga draft-ligjet gjatë rrugëtimit nga Ministria e Drejtësisë për në Qeveri.

“Drejtësia në Kosovë” ka kuptuar se pa dijeninë e anëtarëve të komisionit për hartimin e ligjit gjatë rrugës nga ligjet janë hequr normat të cilat ua ndalonin gjykatësve të punësoheshin në shumë vende pune.

Të fshira figurojnë edhe normat të cilat ua ndalonin kryetarëve të gjykatave dhe kryeprokurorëve të jenë pjesë e KGjK-së dhe KPK-së.

Hulumtimi ka nxjerrë në pah se gjatë  procesit të filtrimit të ligjit janë shtuar norma të tjera me të cilat Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë kompetenca shtesë për t’i gjykuar vendimet e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial e po ashtu janë shtuar norma të tjera të cilat po shihen si problematike për sistemin. 

Enver Peci, kryesues i KGjK-së i ka thënë Emisionit “Drejtësia në Kosovë” se ligjet janë ndryshuar pa dijeninë e tyre gjatë rrugëtimit nga Ministria e Drejtësisë për në Qeveri. Peci ka vënë në dyshim se ligjet e përmirësuara nuk do i kontribuojnë sistemit

Anëtarja tjetër e KGjK-së Valdete Daka ka ngjallur dyshime se  fshirja e neneve nga draft-ligjet është bërë nga zyrtarë të drejtësisë të cilët po dëshirojnë t’i adoptojnë ligjet për nevojat personale.

Hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë” ka zbardhur se zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë është kundër ndërhyrjeve të cilat kanë ndodhur në  këto ligje dhe për këtë çështje i është drejtuar Kuvendit të Kosovës me kërkesë që ligjet të përmirësohen.

Samuel Zhbogar, shef i zyrës së BE-së në Kosovë i ka thënë Emisionit “Drejtësia në Kosovë” se ndryshimet janë në kundërshtim me standardet evropiane.

Në fund në Rubrikën “Policia”, ndiqni  aksionin e Policisë së Kosovës në arrestimin e katër qytetarëve serbë të dyshuar për incidentin e 1 majit.

“Drejtësia në Kosovë” çdo të premte nga ora 20 e 20 dhe repriza të hënën në mesditë.