Gara për Kryeprokuror

Kandidatët në garë për kryeprokuror të shtetit të intervistuar nga emisioni “Drejtësia në Kosovë” janë zotuar se vrasjet e pasluftës do zbardhen.

Agron Galani kandidat për kryeprokuror është shprehur se të gjitha vrasjet e pasluftës duhet të zbardhen, ndërsa Aleksandër Lumezi ka nënvizuar mundësinë që dëshmitarë bashkëpunues të përdoren për t’i zbardhur këto vrasje. Nga ana tjetër Laura Pula është zotuar se gjatë mandatit të saj do përdoren të gjitha mjetet për t’i zbardhur këto vrasje?

Në intervistat ekskluzive të cilat transmetohen të premten nga ora 20 e 20, kandidatët Agron Galani Aleksandër Lumezi dhe Laura Pula i janë përgjigjur pyetjes se kur do nisin hetimet për tenderin e autostradës. Hetimet për haraçin, procesin e privatizimin e po ashtu  20 përqindëshin në tenderët publikë.

Ata kanë pranuar se kanë informacione për korrupsionin në tenderë dhe kanë dhënë propozimet  e tyre se si mund të kapen sekserët e 20 përqindëshit të tenderëve.

Duke folur për ndikimet politike, kandidatët janë zotuar se do i ndalojnë ato, duke tentuar që t’u kërkojnë kolegëve prokurorë që të rrinë sa më larg nga politika.

I pyetur rreth numri të prokurorëve, Aleksandër Lumezi është shprehur se ai nuk do angazhohet për shtimin e  prokurorëve, por për shtim të cilësisë. Ndërsa Agron Galani është shprehur se do rrisë numrin e prokurorëve.

Kandidatja Laura Pula ka premtuar reformë edhe në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Ajo është zotuar se nëse emërohet kryeprokurore e Shtetit nuk do jetë edhe kryesuese e Këshillit Prokurorial të Kosovës, praktikë që është ndjekur deri më tani.

Intervistat e plota me tre kandidatët transmetohen sonte nga ora 20 e 20 në RTK, ndërsa tre kandidatët e tjerë do japin përgjigjet e tyre në emisionin e radhës të “Drejtësia në Kosovë”.