Gara për Kryeprokuror ( 2)

Këtë të premte në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” transmetohet pjesa e dytë e intervistave me kandidatët për kryeprokuror të shtetit.

Kandidatët Imer Beka, Metush Biraj dhe Shyqeri Syla shfaqin vizionin e tyre për atë se si do të duket prokuroria e shtetit në shtatë vjetët e ardhshëm dhe zotohen për largimin e politikës nga prokuroria.

Shyqeri Syla, kandidat nga Mitrovica, është shprehur i bindur se në radhët e kolegëve të tij ka prokurorë që i vardisen politikës. Syla në intervistën e tij është zotuar se do punojë në largimin e prokurorëve të cilët janë duke kryer flirte të vazhdueshme me politikanë të ndryshëm.

Pretendenti tjetër Imer Beka ka thënë se është “detyrë e kryeprokurorit dhe vetë prokurorëve ta largojnë politikën nga prokuroria”, ndërsa pretendenti tjetër për kryeprokuror Metush Biraj ka thënë se ndikimi politik është vetëm perceptim sesa një gjë reale.

Pretendentët për kryeprokuror janë zotuar se do nisen hetime për kontratën e autostradës dhe atë të KEDS-it, mirëpo nuk kanë dhënë data të sakta se kur do të nisen këto hetime.

Ata kanë pranuar se kanë informacione për korrupsionin në tenderë dhe kanë dhënë propozimet  e tyre se si mund të kapen sekserët e 20 përqindëshit të tenderëve.

Intervistat e plota me tre kandidatët transmetohen të premten nga ora 20 e 20 në RTK, ndërsa pas tyre “Drejtësia në Kosovë” transmeton Rubrikën “Policia”.