Gradimet Etnike në Polici

Ekipi i “Drejtësisë në Kosovë” ka zbuluar se si katër togerë dhe një kapiten i Policisë së Kosovës janë graduar, edhe pse nuk e kishin kaluar testin me shkrim.

Hulumtimi i cili ka analizuar rezultatet e testimeve gjatë procesit të gradimit, ka treguar se zyrtarët policorë të komuniteteve joshumicë nuk kanë qenë në radhë për t’u graduar, pasi që ata nuk kanë dhënë përgjigje të sakta gjatë testimit.

Shpjegimi nga ana e Policisë së Kosovës është se gradimi i pesë zyrtarëve policorë është bërë me qëllim që në Policinë e Kosovës të rritet numri i eprorëve që janë pjesëtarë të komuniteteve joshumicë.

Në pjesën e dytë të emisionit, “Drejtësia në Kosovë” transmeton hulumtimin rreth shkaktarëve të vdekjes së 21 vjeçarit Edon Petërshanit,  i cili vdiq pas një aksidenti në fabrikën ku punonte.

A i shkoi prokuroria deri në fund hetimit të këtij rasti? Cili ishte dënimi i gjykatës për përgjegjësit? Pse familja e viktimës pretendon se në gjykatë pati dallavere gjatë trajtimit të lëndës së tyre? Pse nëna akuzon se dikush nënshkroi në emër  të tyre në dosjen e lëndës?

Në pjesën e fundit “Drejtësia në Kosovë” transmeton Rubrikën “Policia”,  ku do mund të ndiqni reportazhin nga aksioni ekskluziv i policisë për shkatërrimin e një grupi të madh të trafikantëve të marijuanës. 

Ndiqni pamjet e konfiskimit të tetë kilogramëve të drogës dhe arrestimit të shtetasve nga Shqipëria e Kosova të cilët po e transportonin drogën. 

“Drejtësia në Kosovë” çdo të diel në orën 21 00 dhe repriza të mërkurën në mesditë.