Tjetërsimi i pronave shoqërore

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” zbulon një rast të ri të tjetërsimit të pronave shoqërore nga gjykatat e vendit. Reportazhi i cili transmetohet të premten nga ora 20 e 20 ka zbuluar një rast të ngjashëm me rastin e Prishtinës ku u dënuan tetë gjykatës duke përfshirë edhe kryetarin e gjykatës Nuhi Ukën.

Hulumtimi ka zbuluar se 14 arë tokë në Rahovec janë tjetërsuar nga prona shoqërore në pronë pivate  gjatë një procesi të dyshimtë në gjykatën e Rahovecit.

Zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit i kanë thënë emisionit “Drejtësia në Kosovë” se gjykata e rrethit të Rahovecit nuk ka pasur të drejtë të gjykojë këtë çështje përderisa kanë kërkuar zbardhjen e këtij rasti.

Në anën tjetër përfaqësues të gjykatës së Rahovecit kanë mohuar këto pretendime duke thënë se gjykimi i rasteve të tilla ka qenë në kompetencë të tyre.

Zyrtarisht prona e cila deri pas luftës figuronte si shoqërore tash është shndërruar në një pronë private.

Pronari privat i tokës i ka thënë emisionit “Drejtësia në Kosovë” se ai nuk ka qenë në dijeni që çështjet e pronave shoqërore nuk guxonin të gjykoheshin në gjykatat komunale.

Në fund të emisionit, “Drejtësia në Kosovë” transmeton Rubrikën “Policia” ku do të transmetohet pjesa e dytë e aksionit të policisë e arrestimit të të dyshuarve për vrasjen në “Albi Mall”.

“Drejtësia në Kosovë” transmetohet çdo të premte nga ora 20 e 20 në RTK dhe repriza jepet të hënën në mesditë.