Vallëzimi i Krimit

Në emisionin e parë për këtë sezon emisioni “Drejtësia në Kosovë” sjell hulumtimin ekskluziv për të kaluarën kriminale të valltares Donjeta Kasumi e njohur si Kallashi.

Hulumtimi sjell detaje për rastet që policia dhe prokuroria kanë të hapura ndaj Kallashit dhe bashkëpunëtorëve të saj.

Drejtori Rajonal i Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi, ka dhënë detajet rreth dyshimeve që policia i ka për këtë grup. Ai ka kritikuar punën e prokurorisë dhe gjykatës.

Krasniqi ka dhënë detaje për rastet ku është përfshirë Kallashi dhe Dibran Hoxha, personi që i qëndron afër asaj.

Në anën tjetër, Donjeta Kasumi ka thënë për “Drejtësia në Kosovë” se nuk ka informacione se policia dhe prokuroria ka lëndë të hapura ndaj saj. E pyetur për kallëzimet penale, ajo është shprehur se nuk di gjë për to.

Ndërsa Dibran Hoxha, i përmenduri si person me 155 vepra të kundërligjshme, është ankuar në sjelljet e Policisë së Kosovës. Ai flet edhe për dyshimet se policë dhe zyrtarë të qeverisë janë vizitorë të rregullt të lokalit “Kobra” në Prizren.

Intervistat me Drejtorin Rajonal të policisë në Prizren Nexhmi Krasniqin, shefin e hetimeve Lumi Graishtën, Kryetarin e Gjykatës së Prizrenit Ymer Hoxhën, Kryeprokurorin e Prizrenit Sylë Hoxha, valltaren Donjeta Kasumi dhe rojën e sigurisë Dibran Hoxha mund t’i ndiqni të premten nga ora 20:20 në RTK.

Në fund të emisionit, “Drejtësia në Kosovë” transmeton rubrikën “Policia” ku do të shfaqet aksioni i policisë në shkatërrimin e një fabrike të përpunimit të duhanit.

Drejtësia në Kosovë transmetohet çdo të premte nga ora 20 e 20 në RTK, ndërsa do të reprizohet të hënën në mesditë.