Prokuroria apelon që të dëmtuarat në rastin e 'Albkings' të paraqiten në polici për të bashkëpunuar

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka apeluar të gjitha vajzat dhe gratë që janë të dëmtuara në rastin e “Albkings”, përmes së cilit grup iu janë shpërndarë video dhe fotografi intime të tyre, si dhe të dhëna të tjera personale, që të paraqiten në stacionet policore më të afërta të vendbanimit të tyre, në mënyrë që të bashkëpunojnë me organet e rendit.

Sipas njoftimit të Prokurorisë në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës janë duke vazhduar me trajtimin e këtij rasti.

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka vendosur më 18.04.2024 për caktimin e masës së paraburgimit për një muaj ndaj E. N., njërit prej administratorëve të grupit “Albkings” në aplikacionin Telegram.

Ai po dyshohet për kryrjen e veprës penale “vjedhja e identitetit dhe kredencialeve’.

Sipas njoftimit të Gjykatës, ai dyshohet se në vazhdimësi nga muaji nëntor i vitit 2023 e deri më datë 12.02.2024 duke vepruar në bashkëkryerje me personat ende të paidentifikuar, ka ofruar dhe shpërndarë tek personat e tretë pa autorizim fotografi, video intime dhe numër të telefonit të dy të dëmtuarave.

Gjithashtu, dyshohet se ka ofruar dhe shpërndarë edhe të dhënat e identifikimit edhe të personave të tjerë-kryesisht të gjinisë femërore në grupin “Albkings” në rrjetin social Telegram, por edhe në rrjete të tjera, siç është aplikacioni TikTok, për qëllime të prostitucionit siç janë emrat, mbiemrat, adresat dhe numrat e telefonave të tyre.

“Gjykata ka vlerësuar se duhet të caktohet paraburgimi, duke marr parasysh faktin se i pandehuri E. N. është shtetas i huaj, shtetas i Republikës së Serbisë dhe nuk ka vendbanim në Republikën e Kosovës dhe lehtësisht mund të largohet nga Kosova me qëllim që të shmanget procedurës që zhvillohet kundër tij, duke patur parasysh dëmin që është shkaktuar të dëmtuarve”- thuhet tutje në komunikatën e Gjykatës.

Personi në fjalë u arrestua më 16.04.2024 dhe më pas ishte ndaluar për 48 orë pas zbatimit të masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit nën dyshimin për kryerjen e veprës penale – Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve.

Shënim: Redaksia e KALLXO.com ka vendosur që për shkak të sigurisë kibernetike të gazetarëve të mbuloj emrin e gazetarëve.